Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare “Së bashku për farmaceutikën!”

Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare "Së bashku për farmaceutikën!"

U përmbyll sot me sukses Konferenca e 7të Mbarëkombëtare “Së Bashku për Farmaceutikën” e organizuar nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve të Kosovës.

“Së bashku për Farmaceutikën” është një angazhim i përditshëm për të gjithë faktorët e rëndësishëm të tregut farmaceutik që synojnë bashkimin e ideve të tyre në përmirësimin dhe efikasitetin të çdo sektori që ata operojnë.

  1. Dorian Sadiku, në rolin e Presidentit të Unionit të Biznesit Farmaceutik, u shprehu mirënjohje organizatorëve që mundësuan një platformë për të adresuar disa shqetësime rrënjësore lidhur me shërbimin farmaceutik në Shqipëri.

Në fjalën e tij, z. Sadiku u shpreh se: “Farmaceutika luan një rol kryesor në kujdesin shëndetësor në vend; çdo mangësi apo dështim i saj, ndikon në të gjithë sistemin, duke rrezikuar kujdesin ndaj pacientit, cilësinë e jetës dhe për rrjedhojë ka një impakt makro në të gjithë shoqërinë e familjen.

Ne kemi krijuar katër koncepte që, vetëm nëse të gjithë elementët japin përpjekje maksimale, mund të jenë hapa efektive drejt një sistemi modern të kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

Së pari, rritja e përdorimit të recetave elektronike për barnat e parimbursuara duke përdorur emra të përgjithshëm, mund të rrisë efikasitetin, të përmirësojë qendrueshmërinë e qarkullimit të barnave dhe të minimizojë gabimet e shoqëruara nga recetat e shkruara me dorë. Kjo qasje siguron një inventar të saktë dhe i lejon farmacive më shumë fleksibilitet në menaxhimin e inventarit të tyre.

Çështja e dytë, ngre një shqetësim dhe një parashikim për të cilin me të vërtetë shpresoj të jem i gabuar. Shqetësimi rreth mungesave potenciale të barnave që do të ndikojë në tregun Europian, ka potencial të ndikojë edhe në Shqipëri për shkak të varësisë së madhe në importin e produktit përfundimtar.

Kjo i detyron farmacistët të kërkojnë zgjidhje alternative për t’u siguruar që pacientët të marrin trajtimin e duhur, që shpeshherë çon në përfshirjen e tyre në tregun e zi. Zgjidhja do të ishte implementimi i një platforme në të cilën farmacitë raportojnë mungesat ditore, e lidhur me një program inteligjent që analizon dhe përkthen të dhënat përmes të cilave Urdhëri i Farmacistit identifikon mungesat e mirëfillta. Në këtë mënyrë, ne ndihmojmë autoritetet për të gjetur zgjidhje dhe për të mënjanuar interesin e subjekteve abuzive.

Çështja e tretë, synon të përmirësojë imazhin e industrisë farmaceutike përmes transmetimit të informacionit të qartë për publikun.

Në Shqipëri, funksionojnë rreth 1600 farmaci dhe rreth 100 pacientë i vizitojnë ato cdo ditë. Nëse farmacitë do të shërbejnë si pika kontakti të drejtpërdrejta për pacientët, kjo do të thotë se ne mund të komunikojmë drejt për së drejti me 1600 pacientë, duke i kthyer ata në një audience shumë të personalizuar. Bashkëpuni i mëtejshëm mes vendimmarrësve mund të lehtësojë përhapjen e mesazheve të vërteta përmes një projekti të gjatë sfidues, por jo të pamundur.

Së fundmi, përmirësimi i procedurave operacionale në brendësi të sistemit farmaceutik është i domosdoshëm, në veçanti lidhur me metodologjitë e vjetra që përdoren në listat e rimbursimeve e vonesat të lidhur me to.

Përfitimi i të dhënave të sakta nga sistemet qeveritare të informacionit së bashku me analizat farmako-ekonomike, mund të rrisë në mënyrë efikase mbulimin e zonave terapeutike edhe me buxhete të limituara.

Në sektorin shëndetësor, përkushtimi, profesionalizmi dhe përshtatshmëria janë thelbësore.

Së bashku, me pasion dhe vendosmëri, ne kemi mjetet e nevojshme për të rritur standardin shëndetësor në Shqipëri dhe të përmbushim misionin tone të përbashkët.”